PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Kërcënoi prokurorin dhe policinë, arrestohet i shumëkërkuari nga Burreli
Posted date: 07.12.2017
Policia e Shtetit, ka bërë me dije ditën e sotme se ka arrestuar një person shumë të kërkuar, të shpallur në kërkim, të dyshuar si organizator i një grupi të strukturuar kriminal në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Siç bëhet e ditur, në një lokal në rrugën "Jordan Misja" Tiranë, u kap dhe u ndalua Marko Bushi, 41 vjeç, banues në Urakë, Burrel.

Personi i lartpërmendur ishte i shpallur në kërkim  në bazë të Procedimit Penal 86 të vitit 2016, procedim  i cili është ndjekur dhe bashkërenduar nga Policia e Shtetit me Prokurorinë e Krimeve të Rënda pasi:

Më datën 05.10.2016, në bazë të një plani paraprak, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Mat, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat, kanë ushtruar kontroll territori për kultivim të bimëve narkotike në  fshatin Myzë, Njësia Administrative Lis, Bashkia Mat. Gjatë operacionit u gjetën dy parcela të kultivuara me bimë narkotike ku u asgjësuan gjithsej 10 480 bimë Cannabis Sativa.

Ai ka kërcënuar Prokurorin dhe forcat e Policisë lokale. Me ndërhyrjen e FNSH-së operacioni vijoi dhe u finalizua me asgjësimin e bimëve narkotike.

Në vijim të veprimeve të kryera është bërë i mundur identifikimi i autorit, dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tij dhe grupit që ai drejtonte në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas ishte në rolin e organizatorit të grupit kriminal.

Gjykata e Krimeve të Rënda më datë 21.03.2017, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest me Burg", për shtetasin e lartpërmendur, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Kultivimi i  narkotikëve", "Grupi i strukturuar kriminal", dhe "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".

Vijon puna për dokumentimin e plotë dhe kapjen e personave të tjerë të këtij grupi kriminal.