PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
PD-LSI të terrorizuara nga KED, dalin kundër projektit amerikan për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë, nisin tentativat e bllokimit të reformës
Posted date: 07.12.2017
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë vënë në alarm nga reforma në drejtësi. Ditët e fundit eksponentë të këtyre partive e kanë anatemuar dhe sulmuar fuqishëm projektin e SHBA-BE, ndërkohë që dje ka nisur dhe në mënyrë zyrtare tentativa për të bllokuar ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. 

Një vit më parë u përzgjodhën anëtarët e përkohshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe sot Kuvendi do të rimblidhet për të hedhur shortin për anëtarët e përhershëm. Përfaqësues të komisionit të reformës dhe eksponentë të misioneve ndërkombëtare do të ndjekin shortin në selinë e Kuvendit. Por PD dhe LSI kanë dalë kundër këtij procesi, duke treguar dhe një herë frikën e kësaj reforme. Ndonëse KED do të jetë një institucion me rol jo shumë të madh, PD dhe LSI kanë filluar punën për të bllokuar ngritjen e tij dhe paralelisht me të dhe reformën në drejtësi, ndonëse kemi të bëjmë me një projekt amerikan. Por çfarë ka ndodhur realisht ? Dje krerët e grupeve parlamentare të DP dhe LSI, konkretisht Edmond Spaho dhe Petrit Vasili, i kanë dërguar nga një letër kreut të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe Presidentit Ilir Meta, ku kërkojnë që të bllokohet procedura, me argumentin se ajo është antiligjore. Sipas PD duhet të pritet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, pasi u takon atyre të propozojnë kandidatë. “Konkluzioni i parë është se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese dhe ligjore duke i diktuar organeve te pavarura zbatimin e deformuar të ligjit. Kryetari i Kuvendit ka shmangur kriteret ligjore, të zbatuara për shortin e janarit 2017 nga të gjitha institucionet e pavarura. Ligji përcakton 8 kritere për kandidatët, duke rritur cilësinë e tyre. Mes kritereve është edhe përfundimi i Shkollës së Magjistraturës”, thuhet në letër. Nga ana tjetër, Partia Demokratike thotë se ndryshimi i rregullave në mes të procesit, është i paligjshëm. Madje, PD thekson se qëllimi i Partisë Socialiste është të kap organet e reja të drejtësisë. “Ndryshimi i paligjshëm i rregullave të lojës në mes të procesit, është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës”, thuhet në letër. Ndërkohë PD thotë se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga mazhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente procesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët. “Konkluzioni i tretë është se veprimtaria e KPED u bllokua qëllimisht nga mazhoranca në mënyrë që Këshilli të mos kryente proçesin kushtetues të vlerësimit për kandidatët për Inspektor të Lartë të Drejtësisë dhe për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ku, aktualisht janë 3 vende vakante”, thuhet në letrën e PD.

Reagon LSI

Pas PD-së, edhe LSI ka dalë kundër shortit për anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Kreu i Grupit Parlamentar të LSI, Petrit Vasili i ka dërguar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, teksa shprehet se procesi është i pavlefshëm ligjërisht. Madje, Vasili thotë se LSI nuk mund të bëhet pjesë e këtij procesi, që sipas tij, po zhvillohet me procedura aspak ligjore. “Grupi Parlamentar i LSI, nuk mund të bëhet pjesë e procesi përzgjedhës të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili po zhvillohet me procedura aspak ligjore dhe bazuar në kritere të cilat janë në kundërshtim me kërkesat e ligjit. Për këtë arsye, ju kërkojmë ndërprerjen e procesit të hedhjes së shortit dhe ndërmarrjen e nismave me qëllim thirrjen e konferencës së kryetarëve me qëllim që Kuvendi, të iniciojë një proces serioz të kapërcimit të situatës së krijuar dhe frenimin e çdo iniciative të këtij lloji që do të prodhojë me pa më të voglin dyshim pasoja të rënda për vendin, duke cenuar besimin e publikut tek reforma në drejtësi”, thuhet në letër.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/