PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Kryemadhi takime në Uashington: Nevojitet politikë e re bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe SHBA
Posted date: 07.12.2017
Kryetarja e Lëvijzes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një vizitë zyrtare. Gjatë vizitës të saj në Uashington, Kryemadhi, zhvilloi takime në Departamentin Amerikan të Tregtisë, ku në Byronë e Industrisë dhe Sigurisë, zhvilloi një takim me Ndihmës Sekretarin e Tregtisë për Menaxhimin e Eksportit Richard Ashooh. 

Kështu, në fjalën e tij, sekretari Ashooh shprehu kënaqësinë e veçantë që për herë të parë zhvillohej nje takim i tillë si dhe konfirmoi gadishmërinë e plotë për të mbështetur Shqipërinë në çështjet e sigurisë industriale dhe të eksporteve të teknologjisë. Ndërsa nga ana e saj, Kryemadhi konfirmoi predispozicionin maksimal të partisë që ajo drejton, që të jetë mbështetëse por edhe promovuese e hartimit të legjislacionit në këtë fushë kaq të rëndësishme. Madje, ajo siguroi se me t’u përgatitur një legjislacion i tillë do të komunikojë me të gjithë aktorët e tjerë politikë në Shqipëri që kjo paketë legjislative e nevojshme për zhvillimin e vendit në tërësi por dhe sigurinë kombëtare në veçanti, të miratohet në një kohë sa më të shpejtë dhe Shqipëria të ketë standardet më të larta ndërkombëtare bashkëkohore në këtë fushë. Ndërkohë, Kryemadhi ftoi gjithashtu përfaqësuesit të Departamentit të Tregtisë të vizitojnë Shqipërinë në kuadrin e aktiviteteve të organizuara për fushat që ky departament mbulon pasi Kryemadhi konstatoi se duhet një politikë e re në bashkëpunimin ekonomik me SHBA që t’i përshtatet më mirë zhvillimit aktual të ekonomisë së Shqipërisë dhe hapjes gjithmonë më të madhe të saj ndaj biznesit Amerikan. Në vijim të takimeve në Departamentin Amerikan të Tregtisë me fokus shkëmbimet tregtare, investimeve midis dy vendeve dhe rritjen e prezencës së investimeve amerikane në Shqipëri, Kryemadhi zhvilloi një takim me Sarah Kemp, Zv. Drejtoresha e Përgjithshme e Drejtorisë për Investime Ndërkombëtare. Gjatë këtij takimi, kryetarja e LSI nënvizoi se pa një prani që rritet dukshëm të investimeve amerikane nuk mund të kemi atë zhvillim ekonomik për të cilin Shqipëria ka aq shumë nevojë dhe që është i lidhur drejtpërdrejtë me punësimin. Gjithashtu, Kryemadhi evidentoi se turizmi, infrastruktura, energjia dhe bujqë- sia mbeten fushat prioritare të bashkëpunimit ekonomik. Ndërsa, nga ana e saj, drejtoresha Kemp theksoi se Shqipëria mund të bëhet një vend strategjik rajonal për investimet Amerikane në infrastrukturë dhe energjetikë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/