PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Filmi “Lule të kuqe, lule të zeza” shfaqet për publikun 14 vite pas realizimit
Posted date: 30.11.2017
Filmi “Lule të kuqe, lule të zeza” prodhim i viti 2003 një dramë shqiptare që konsiderohet si një nga filmat më interesantë të epokës së post-Kinostudios u shfaq për publikun në kinemanë e AQSHF. Në filmin me skenar nga Natasha Lako dhe regji nga Mevlan Shanaj në role janë emra të njohur të kinematografisë shqiptare. Në film aktrojnë Mevlan Shanaj, Yllka Mujo, Kastriot Çaushi, Elia Zaharia, Bujar Lako, Petrit Malaj, Gentian Demaliaj, etj. Regjisori Mevlan Shanaj për filmin që u realizua në vitin 2003, vlerësuar si një nga prodhimet më interesante të epokës së post Kinostudios,  tregon se filmi merret me tronditjen dhe çdo personazh mbart një dramë. “Filmi “Lule të kuqe lule të zeza”, merret me tronditjen, tërmetin e menjëhershëm të ‘97, në një zonë jo të izoluar. Tragjeditë antike greke, të sjella në marrëdhëniet e sotme në Ballkan, më ka thënë një kritik amerikan. Mendoj se filmi është një klithmë për shoqërinë tonë. Dhimbja dhe çorientimi janë forca pështjelluese e linjës dramaturgjike. Çdo njëri nga personazhet mbart një dramë, dramën e pamundësisë së gjetjes së ajrit për frymëmarrje”, tregon për filmin regjisori Mevlan Shanaj. Filmi e fokuson ngjarjen pas vitit ’97. “Është një film që merr shkas pikërisht, në se do të thosha në mënyrë pak të figurshme, pas atij Holokausti që ndodhi, unë do të thosha në psiqikën, në shpirtin e shoqërisë shqiptare; ndodhën edhe shumë ikje, shumë lëvizje, abandonime të zonave, ose tronditje të familjes dhe pikërisht kjo është fabula dhe ky bëhet objekt i filmit”, vijon më tej regjisori i njohur. Në trajtimin e këtij filmi, sipas regjisorit Shanaj është pasur parasysh pikërisht kjo marrëdhënie e brendshme e patrajtuar deri më sot.

Filmi dhe kritika

Subjekti i këtij filmi na flet rreth marrëdhënieve dramatike, dashurive, vetmive, dhe historia e një grushti njerëzish që jetojnë si satelitë me njëri tjetrin, në një vend ku kishat janë satelitë të xhamive, ku fshatrat janë satelitë të qyteteve, ku varri ka dështuar. Është historia e Liljanës interpretuar nga Yllka Mujo, një grua e lirë që jeton së bashku me të fshehtat e saj, e cila mbetet e braktisur nga i shoqi. Po kështu mbetet dhe Ana, interpretuar nga Elia Zaharia, e cila në film si në jetë është e bija. Ky film ka marrë vlerësime jo të pakta për mesazhin që përcjell. Jo vetëm nga kritika e huaj, por në një shkrim të tij dhe shkrimtari e skenaristi i njohur Vath Koreshi shkruan se filmi episod pas episodi na fut në meditimin për të shpjeguar një shoqëri në apokalips si vendi ynë në 1997. “\"Lule të kuqe lule të zeza\" i Mevlan Shanajt, episod pas episodi, na fut në meditimin për të shpjeguar një shoqëri në apokalips, si Shqipëria e vitit 1997, ku një pjesë e katastrofës shpirtërore shpjegohet me përçarjen e pjesës së ndritur dhe pjesës së errët të njeriut. Kataklizmat e mëdha shoqërore janë një përzierje e trembshme gjërash të mira dhe gjërash të këqija, në mesin e të cilave fare thjesht mund ta humbësh orientimin”, shkruante dikur Koreshi. Nën regjinë e Mevlan Shanajt dhe skenar të Natasha Lakos ky film mori mendimet pozitive nga kritika e kinemasë. Por 14 vjet më pas shfaqja e këtij filmi duket dhe si një homazh për aktorët që tashmë nuk janë më. “Ndjej keqardhje dhe trishtim, nuk janë më aktori Bujar Lako apo dhe këngëtari Gentian Demaliaj që luan në film”, shprehet regjisori Shanaj.

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/