PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Moska nderon Kallashnikovin me një monument gjigand
Posted date: 20.09.2017

Një statujë tetë metra e lartë kujton në Moskë Mihail Kalashnikovin, konstruktor i automatikut të njohur AK-47. Një nderim me fuqi simbolike.

Të gjithë e njohin Kallashnikovin. Automatiku është që prej dekadash një nga të paktat mallra ruse të suksesshme në eksport. Konstruktori i armëve që vdiq në vitin 2013, Mihail Kallashnikov u nderua të martën në Moskë me një monument. Shkas është dita e prodhuesit të armëve, një ditë feste e industrisë ruse të armatimit, e cila që prej pesë vitesh festohet në 19 shtator.

Automatiku si “markë kulturore”

Statuja tetë metra e lartë e Kallashnikovit u përurua në një kryqëzim në qendrën e qytetit. I veshur me rroba të thjeshta punëtori ai ndodhet në piedestal dhe e mban armën me kujdes dhe me krenari në të dyja duart – sikur të ishte fëmijë. Inxhinjeri mishëron me talentin dhe modestinë e tij “tiparet më të mira të një njeriu rus”, tha në përurim ministri i Kulturës, Vladimir Medinskij. Automatiku është një “markë e vërtetë kulturore e Rusisë”. Porosidhënësi për monumentin është Shoqëria Ruse e Historisë Ushtarake, kryetar i së cilës është Medinskij.

Kompozicioni përbëhet nga dy pjesë: përpara figura e Kallashnikovit dhe në sfond kryeëngjëlli Mihail në një kalë, i cili vret me një heshtë një kuçedër. E gjitha simbolizon “luftën e përjetshme midis së keqes dhe së mirës”, citohet Shçerbakovi nga mediet ruse. Skulptori e quajti armën e Kallashnikovit “një armë të së mirës”.

Mbi 70 milionë kallashnikovë që prej 1947-ës

Automatiku i famshëm kremton këtë vit 70 vjetorin. Në vitin 1947, modeli i zhvilluar nga Kallashnikovi fitoi një konkurs dhe kaloi në prodhim seri. Versioni i parë kishte shkurtimin AK-47. Më vonë u modernizua disa herë. Kjo armë konsiderohet e lirë, e thjeshtë dhe rezistente.

Koncerni nga Ishevsku, i cili prodhon edhe armë sporti dhe gjahu, e që ndërkohë mban emrin Kallashnikov, në vitin 2016 sipas tij i trefishoi kuoatat e eksporteve. Disa tregje të leverdisshme prodhuesi rus i armëve megjithatë i ka humbur. Kështu SHBA e kanë vendosur kallashnikovin në listën e sanksioneve – për shkak të mënyrës ruse të veprimit në Ukrainë. Ato shpresojnë një kthim në tregun amerikan, tha shefi i koncernit në intervistë.

Simbol për frymën e kohës

Për publicistin rus Oleg Kashin, monumeti i Kallashnikovit është shumë simbolik. “Në Rusinë e sotme është bërë normale që për një luftë të mos flitet si tragjedi, por si publicitet i mirë për armët ruse,” i tha Kashini Deutsche Welle-s. Pacifizmi ka dalë nga moda, prandaj “Kallashnikovi si ciklop” është një simbol i përshtatshëm për frymën e kohës në Rusinë e sotme.

“Unë nuk e di se çfarë arme e së mirës mund të jetë, këto janë fjalë boshe”, shkroi shkrimtari rus Viktor Jerofejev në një koment si i ftuar nga DW. “Është e njëjta gjë, sikur francezët ta shpallnin gijotinën si edukuese kombëtare të ndjenjave”. Një automatik sjell vdekjen dhe jo dëshira të mira, shkruan Jerofejevi. Ai mund të” përdoret në çdo minutë kundër atyre që e duan dhe vlerësojnë lart”. /DW/