PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
SALIJI: Zyrtarizimi i shqipes reflekton frymën e MO-së (FJALIMI I PLOTË)
Posted date: 14.09.2017

I nderuari Kryetar i Kuvendit!

Të nderuar deputetë e qytetarë të Republikës së Maqedonisë!

Sot, hapërojmë drejt  rrumbullakimit konceptual, përmbajtjesor dhe parimor të Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshje që vendosi shtyllat kryesore në etablimin e një shoqërie jodiskriminuese me vlera demokratike që ka për bazë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve, përfaqësim proporcional, të drejtë dhe adekuat.

Procesi i zyrtarizimit të gjuhës shqipe pati realizimet e veta që reflektonin direkt frymën e Marrëveshjes Kornizë.  Etapat nëpër të cilat kaloi nisën me amendamentet kushtetuese që hapën portën e parë kundrejt kornizave të deriatëhershme brenda të cilave zhvillohej dinamikë jogjithpërfshirëse.

Amendamenti i pestë paraqet konsekuencën më frytdhënëse të angazhimeve tona duke vendosur bazat e normave  mbi të cilat do të mbindërtohet sistemi politik dhe juridik në aspekt të zbatimit të gjuhës te cilën e flasin me se paku 20% e qytetareve.

Paragrafi një dhe dy i këtij amendamenti parasheh se gjuhë tjetër zyrtare pos gjuhës maqedonase – është edhe gjuha që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë në mënyrë të përcaktuar sipas këtij neni,

Paragrafi i katërt dhe i pestë etablon standardin minimal për të drejtën e qytetarëve në përdorimin e gjuhëve që ka mbështetjen e plotë të Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, vis-à-vis përdorimit zyrtar të tyre në organet e pushtetit qendror ku thotë se gjithçka lidhur me këtë materie rregullohet në pajtim me ligj!

Para jush, prezantoj Propozim – Ligjin për përdorimin e gjuhëve, miratimi i të cilit ka për qëllim zbatimin konsekuent dhe konsistent të Kushtetutës sonë dhe amendamenteve të saja në dispozitat ligjore, ka për qëllim realizim të mëtutjeshëm të Marrëveshjes së Ohrit si dhe korrigjim të mangësive të Ligjit në fuqi dhe ndryshimeve të tij. E gjithë kjo me synim të vetëm të ruajtjes së vlerave kryesore të shoqërisë sonë, ruajtjes së rendit juridik dhe  sundimit të ligjit.

Të gjithë indikatorët nga brenda dhe jashtë tregojnë urgjencën juridike dhe  politike  për rrumbullakimin e proceseve të nisura me qëllim të kualifikimit të denjë të vendit tonë për t’i prirë sfidave drejt aderimit euro-atlantik. Rekomandimet dhe konkluzat e Këshillit të Evropës determinojnë se implementimi i plotë i Marrëveshjes Kornizë është kushti që garanton  përafrim të integrimit të vendit tonë në strukturat euroatlantike , gjithnjë duke e kultivuar karakterin shumë-etnik të saj si vlerë kryesore.

Propozim – Ligji për përdorim të gjuhëve është destinacioni i radhës që konvergjon gjithë kërkesat dhe nevojat e përmendura më parë, si dhe graviton rreth cakut perspektiv të vendit tonë: Zbatimit të plotë të rekomandimeve të Unionit Evropian.

Si rezultat i kësaj, Qeveria reformuese e Republikës së Maqedonisë e shënon këtë ligj me flamurin evropian me qëllim që edhe proceduralisht ta emërojë atë sipas karakteristikave  dhe cilësive që posedon.

Ligji në fjalë, ngërthen në vete një strukturë të thjeshtë, përbëhet nga 25 nene dhe parasheh bazat kryesore mbi të cilat themelohet koncepti i tij zbatues.

  1. Respektivisht, në nenin e parë parashihet që gjuhë zyrtare pos gjuhes maqedone është edhe gjuha te cilën e flasin me se paku 20% e qytetareve në pajtim me këtë ligj. Në të gjitha organet e pushtetit qendror, institucionet qendrore dhe gjitha institucionet tjera .

Ne njësitë e vetëqeverisjes lokale për përdorimin e gjuhëve te cilën e flasin me pak se 20% e qytetareve vendosin organet e njësive  te vetëqeverisjes lokale.

  1. Në nenin e dytë rregullohet e drejta e qytetarëve për të përdorur cilëndo nga dy gjuhët zyrtare vis-à-vis obligimit të institucioneve për t’u mundësuar qytetarëve përdorim dhe zbatim të cilës do gjuhe zyrtare në çfarëdo procedure si dhe realizim të atyre procedurave në atë gjuhë dhe shkrim.
  2. Nenet në vazhdim rregullojnë përdorimin e gjuhëve në institucione – por asnjëherë duke e prekur konceptin bazë i cili derdhet tek të gjitha institucionet e përmendura ,pjesë e pushtetit qendror. Neni tre rregullon zbatimin e dygjuhësisë në komunikimin zyrtarë atëherë kur të paktën njëri nga bartësit e institucionit  flet gjuhe  te cilën e flasin  se paku 20% e qytetareve.
  3. Në punën e Kuvendit gjithashtu gjuhë zyrtare pos gjuhës maqedonase është edhe gjuha te cilën e flasin se paku 20% e qytetareve dhe atë në të gjitha poret e funksionimit të saj duke filluar nga trupat punuese, seancat plenare udheheqja me to e deri tek arkivimi dhe ruajtja e stenogrameve.
  4. I njëjti princip reflektohet edhe tek puna e Qeverisë. Dygjuhësia zbatohet që nga kolegjiumet gjenerale e deri tek seancat e Qeverisë, udhëheqja me seancat, ruajtja e stenogrameve si dhe publikimi i gjithë akteve.
  5. Neni 6, ndër tjerash, parasheh që gjitha institucionet janë të detyruara të mundësojnë zbatim të procedurave në gjuhen te cilen e flasin se paku 20% e qytetareve, poqëse njeri nga pjesëmarrësit në procedure flet ne ate gjuhe.
  6. Emrat e gjithë institucioneve, vulat e tyre në Shkup dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale ku së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhe zyrtare ndryshe nga ajo maqedone, do të shkruhen në gjuhën maqedonase dhe në atë gjuhe. .
  7. Monedhat e letrës dhe ato të farkuara, si dhe pullat postare do të mbajnë simbole të cilat do ta paraqesin trashëgiminë kulturore të qytetarëve të cilët e flasin gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik dhe gjuhën te cilen e flasin se paku 20% e qytetareve dhe alfabetin e saj. Uniformat e policisë; zjarrfikësve, shëndetësisë; në Shkup dhe në komunat në të cilat së paku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase, do të shkruhen në dygjuhësi.
  8. Në nenet në vijim rregullohet dygjuhësia dhe mënyra e zbatimit në të gjitha procedurat duke filluar nga ato gjyqësore, administrative e deri tek ato përmbaruese. Këto procedura do të zhvillohen edhe në gjuhen te cilen e flasin se paku 20% e qytetareve kur cilido nga pjesëmarrësit, qoftë ai gjykatësi, prokurori, pala apo ndonjë pjesëmarrës tjetër flet ne ate gjuhe. I njejti princip zbatohet edhe në sjelljen e vendimeve dhe akteve tjera si dhe në emërimin e këtyre institucioneve.
  9. Risi tjetër në këtë ligj paraqet edhe inkuadrimi i procedurave para noterit dhe përmbaruesit si persona që kryejnë autorizime publike.
  10. Organet per zbatimin e sanksioneve janë të detyruara në komunikim dhe procedurë të zbatojnë dygjuhësi nëse personi për të cilin bëhet fjalë e flet gjuhe te cilen e flasin se paku 20% e qytetareve.
  11. Nenet në vijim rregullojnë përdorimin e gjuhëve zyrtare dhe ato të komuniteteve tjera në dokumentat përsonal dhe ato të udhëtimit.
  12. Zbatim të të dyja gjuhëve zyrtare parashihet edhe në emra të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve tjera infrastukturore në të gjithë njësitë e vetëqeverisjes lokale te të cilat 20% e qytetarëve flasin gjuhë ndryshe nga gjuha maqedonase dhe në Shkup. Po ky parim do të aplikohet edhe në vendkalimet kufitare të Republikës së Maqedonisë si dhe aeroportet në rajonet ku 20% e qytetarëve flasin gjuhë zyrtare ndryshe nga gjuha maqedonase.
  13. Për të realizuar qëllimet e këtij ligji, promovimin, mbrojtjen dhe zbatimin e tij , themelohet Agjenci për zbatim të gjuhës të cilën e flasin më së paku 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Kjo agjenci do të ketë për detyrë mbështetjen e institucioneve në realizimin e obligimeve të tyre qe burojne nga ky ligj.
  14. Me qëllim monitorim të zbatimit të plotë dhe të përpiktë të dispozitave të këtij ligji që kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve, formohet Inspektorat për përdorim të gjuhëve në përbërje të Ministrisë së drejtësisë. Parimet, kompetencat, organizimi i inspektimit dhe procedurat e mbikëqyrjes inspektuese të Inspektoratit për përdorim të gjuhëve do rregullohen me ligj të veçantë.
  15. Dispozitat kalimtare të këtij ligji parashohin afatet për përgatitjen e institucioneve për zbatimin e tij, harmonizimin e ligjeve tjera me dispozitat gjuhësore si dhe trajtimin e këtij ligji si ligj special ndaj gjithë ligjeve tjera në aspekt të dispozitave të gjuhës.

Të nderuar deputetë!

Me miratimin e Propozim – Ligjit për përdorim të gjuhëve ne dëshmojmë që kemi absorbuar parakushtet për një shoqëri demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të integruar.  Dëshmojmë se jemi të gatshëm për të krijuar sfida të reja që na ngrisin si shoqëri, pranojmë diversitetin dhe mbështetemi në mirëbesimin e ndërtuar nder vite.

Për të gjithë ata që ngrisin dilema jodashamire lidhur me kushtetutshmërinë e tekstit para jush, dua të theksoj se ky Propozim- Ligj duhet analizuar nga prizma objektive dhe profesionale e Kushtetutës sonë si Akti më i lartë juridik dhe jo të bëhet pre e interpretimeve mediokër, konservative dhe të kushtëzuara nga paragjykimet e ndryshkura që nuk kanë për qëllim ruajtjen e vlerës shumë-etnike të shoqërisë sonë. Të mos keqinterpretojmë- por të lexojmë dhe kuptojmë gjuhën e shkruar të Kushtetutës sonë parimet e së cilës frymojnë një materie të gjallë, dinamike, që ndryshon dhe përparon.

Me miratimin e këtij Propozim-Ligji, do të bëjmë një hap tutje në tejkalimin e diferencave dhe ruajtjen e vlerave demokratike të sistemit tonë politik dhe juridik, dhe me këtë gjithnjë e më shumë do t’i përafrohemi integrimit të vendit tonë në bashkësinë euro-atlantike.