PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Mrekullia e shijes së bukës me rozmarinë dhe ullinj
Posted date: 11.09.2017
Momenti kur buka sapo del nga furra, avulli që ajo lëshon është një thirrje, të cilës i dorëzohesh symbyllur. Më pas, kombinimi me vaj ulliri ose me gjalpë me kripë është thjesht një dashuri me kafshatë të parë. Përgatitja e bukës mund të quhet një art më vete, sidomos kur në këtë ‘tango’shijesh përfshihen rozmarina dhe ullinjtë.

AgroWeb.org do të ndajë me ju recetën e mrekullueshme mesdhetare të bukës me ullinj dhe rozmarinë. Ata që e kanë provuar thonë që është e pakrahasueshme, sidomos nëse përbërësit janë të freskët.

Buka është pjesë e pandashme e kuzhinës shqiptare. Koshi i bukës vihet i pari në tryezë si në mëngjes ashtu edhe në drekë. Por tani që e gjithë vëmendja është kthyer tek të ngrënit e shëndetshëm, edhe buka nuk ka sesi të mos jetë pjesë e këtij transformimi. Në furrat e bukës tani gjejmë shumë lloje bukësh, jo vetëm me drithë të plotë por edhe me fara.

Buka me rozmarinë dhe ullinj është shumë e mirë. Korja e saj është krokante. Tuli është i butë dhe plot aromë. Buka mund të përdoret për panine ose thjesht mund të lyhet me pak vaj ulliri.

Ndiqni hapat e mëposhtëm për përgatitjen në shtëpi të bukës me rozmarinë dhe ullinj.

PËRBËRËSIT

• 3 filxhanë me miell të thjeshtë
• 2 lugë çaji me sheqer të bardhë
• 8g maja buke
• 3 lugë çaji me kripë deti
• 1 ¼ gotë me ujë të vakët
• Çerek filxhani me vaj ulliri
• 40 gramë me ullinj të zinj pa bërthamë
• Gjethet e një dege rozmarine

PËRGATITJA

Hapi 1

Përzieni miellin, sheqerin, majanë dhe një lugë çaji me kripën e detit në një enë të madhe.

Hapni një vrimë mes kësaj përzierjeje. Shtoni ujë dhe 2 lugë gjelle me vaj ulliri. Përziejini me miellin dhe përbërësit e tjerë deri sa të formohet brumi. Punojeni atë në një sipërfaqe të sheshtë për 3 deri në katër minuta.

Hapi 2

Vendoseni brumin në një enë të lyer me yndyrë minimale. Mbulojeni me një qese plastike dhe vendoseni në një vend të ngrohtë për një orë deri sa brumi të fryhet.

Hapi 3

Ngroheni furrën në 240°C. Merrni një tepsi ose tavë 2 centimetra të thellë dhe me përmasat rreth 25cm x 35cm. Ripunojeni brumin me duar për 2 deri në 3 minuta dhe shpërndajeni njëtrajtësisht në enën e pjekjes.

Lyejeni sipërfaqen me një lugë gjelle me vaj. Zhytini ullinjtë në brumë, shpërndani sipër saj rozmarinën dhe kripën e mbetur. Piqeni bukën për 15 minuta deri sa të krijojë koren e artë karakteristike. Shërbejeni të ngrohtë në enën përkatëse./AgroWeb