PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Qeveria publikon marrëveshjet me investitorët e huaj
Posted date: 31.08.2017
Do të publikohen Marrëveshjet e deritanishme të fshehta me investitorët e huaj. Qeveria në seancën e djeshme ka miratuar një vendim për deklasifikimin e të gjitha kontratave me investitorët e huaj, që i ka lidhur qeveria e VMRO – DPMNE-së.

Nga Qeveria thonë se për shtatë ditë do të dihet se cilat institucione i kanë lidhur kontratat dhe nga ato do të kërkohet ti deklasifikojnë.

“Brenda shtatë ditëve Sekretariati i Përgjithshëm i Qeverisë duhet të përgatisë një listë, cilat institucione kanë përgatitur marrëveshje, dokumente të tilla për të ndihmuar investitorët e huaj. Të gjitha këto që janë të klasifikuara, dhe në përputhje me vendimin e djeshëm, do të deklasifikohen dhe janë me interes publik. Ky është interes publik, kështu duhet bërë. Përveç kësaj, kjo masë është paraparë edhe në planin 3-6 – 9” – tha Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë së RM-së.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se Ministria e Ekonomisë nuk ka lidhur marrëveshje me asnjë investitor të huaj. Qeveria përgatit një analizë që do të tregojë se sa para nga buxheti i shtetit janë derdhur për subvencionim të investimeve të huaja në vend, si dhe çfarë fitimi kishte vendi prej tyre. Disa ekspertë ekonomikë mendojnë se analiza e tillë është e nevojshme, që publiku të dijë se sa para ka dhënë Maqedonia për njohuritë që kompanitë e huaja i sollën në Maqedoni. Përveç kësaj mase, qeveria mori vendim edhe për një afat të ri, për dorëzimin e kërkesave për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

Të gjithë qytetarët të cilët kishin dorëzuar më parë kërkesë për të legalizuar objektin, nga janari 2018 – deri në fund të vitit do të mund të dorëzojnë kërkesa për legalizim. Edhe qytetarët të cilëve u është refuzuar më parë legalizimi, për shkak të mungesës së ndonjë dokumenti tani do të jenë në gjendje nga janari deri në qershor të vitit të ardhshëm, të dorëzojnë kërkesa dhe dokumente për të rinisur legalizimin e objektit të ndërtuar në mënyrë të paligjshme.

“Ky afat nuk vlen për ata që janë refuzuar, për shkak të pengesave të caktuara – u shpreh Mile Boshnjakovski, zëdhënës i Qeverisë së RM-së.”

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se nga rreth 445.000 kërkesa, janë legalizuar vetëm 187.000 objekte. Nga Qeveria thonë se presin që deri te ata të arrijnë 70 deri 100 mijë kërkesa të reja për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje.