PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Diaspora Shqiptaro – Amerikane: Krijoni kushte për të sjellë investimet amerikane në Maqedoni
Posted date: 24.08.2017
Bashkëpunimi me diasporën, nxitja e diasporës për investime dhe tërheqjen e investimeve amerikane në Maqedoni kanë qenë temat e takimit të zhvilluar midis kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha dhe përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptaro – Amerikane në Çikago, Mamut Skenderi dhe Nazim Halimi. Theksi i veçantë i takimit ishte bashkëpunimi dhe realizimi i projekteve të përbashkëta me Odën Ekonomike Amerikano – Izraelite, ku anëtar i bordit është Mamut Skenderi.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, Nebi Hoxha sot realizoi takim me anëtarin e Bordit Drejtues të Odës Ekonomike amerikano-izraelite, Mamut Skenderi.

Në këtë takim u diskutuan  aktivitetet, planet dhe idetë për zhvillimin e bashkëpunimit me diasporën dhe intensifikimin e bashkëpunimit me investitorët potencial të diasporës, mundësitë e investimeve, sistemin tatimor, procedurat doganore dhe burimet tjera të shumta ekonomike që Republika e Maqedonisë ofron për bizneset e mërgatës.

Aktivisti Mamut Skenderi theksoi se në Shkup po përcjellë përshëndetjet e Odës Ekonomike Amerikano – Izraelite dhe të njërit prej drejtuesve të saj Dan Shure.  Ai informoi për aktivitetet e kësaj ode dhe interesimin e anëtareve të saj për investime në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, sidomos në pjesën veri – perëndimore.

“Bashkëpunimi me OEMVP është drejt përcaktimit të pikave kyçe ku do të ketë fokusim në projekte që duhet të hidhen në letër dhe të realizohen në të ardhmen e afërt. Qëllimi parësor është hyrja e një Banke Amerikane, e cila do të jetë një burim që do të shfrytëzohet për menaxhimin e parave të diasporës. Pastaj kemi synim që të ofrojmë kompani amerikane për të investuar në Maqedoninë perëndimore si dhe realizimin e projekteve të tjera, siç është organizimi i konferencës së përbashkët ekonomike në  Çikago”, theksoi Mamut Skenderi.

Ai njoftoi për Konferencën ekonomike që do të zhvillohet gjatë tetorit në Çikago, që do ti kushtohet Shqipërisë, dhe ku do të jenë të ftuar edhe personalitete shtetërore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, ku ftesa e veçantë është për OEMVP.  Po ashtu në këtë periudhë në Qendrën e Holokaustit në Çikago do të hapet edhe pllaka memoriale dhe këndi kushtuar kontributit të shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Duke prezantuar Maqedoninë si vend shumë atraktiv për investime, kryetari i OEMVP, Nebi Hoxha vlerësoi se është shumë e rëndësishme që këto mundësi të shfrytëzohen më tepër nga diaspora jonë.

“Qëllimi i takimit ishte që të pranishmit të njihen me faktorët kyç që kanë ndikuar në suksesin e investimeve të deritanishme të diasporës, si dhe të informohen për nevojat e Diasporës me qëllim që të realizohet një numër akoma më i madh i investimeve të suksesshme dhe projekteve të përbashkëta”, theksoi Nebi Hoxha.

Veprimtari i njohur i diasporës, Nazim Halimi foli për eliminimin e barrierave dhe problemeve administrative me të cilat ballafaqohet diaspora apo investitorët e huaj, që janë të interesuar për të investuar në Maqedoni.

“Duhet të eliminohen gjitha këto pengesa, dhe të krijohen kushte lehtësuese, duke eliminuar edhe korrupsionin, që një investitor të vjen të investojë këtu. Pse jo edhe ndonjë biznesmen i yni nga diaspora. Kjo qeveri duhet të mendoj mire  dhe të mos mbetet vetëm me premtime, por të krijojë kushte dhe mundësi edhe në praktikë”, theksoi Halimi.

Delegacioni nga Çikago më pas zhvilloi takim në Qeveri me ministrin e i diasporës, Edmond Ademi.