PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
\"Besa\" e të inkriminuarve
Posted date: 18.05.2017
Zaevit i konvenon për taktikë \"Besa\", prandaj e donë patjetër në qeverisje. Ajo i shërben si mburojë nga presioni që mund t\'ia bëjnë nga njëra anë shqiptarët me kërkesat e tyre e nga ana tjetër refuzuesit e tyre nga ana e tij. Si provokues dhe ikës në momentet më dramatike ata mbajnë intakt përçarjen brendashqiptare. Të përparojnë aq sa të bëhen të rrezikshëm për Zaevin nuk munden se të inkriminuar në zhvillime korruptive panballkanike.
Bertrand Russell e ka një ese ku parafrazueshëm konstaton se qenka më mirë të mbetesh analfabet se sa të jesh i formuar me dije të padobishme. Filozofi britanik eseun e nis me shembullin e Francis Bacon-it, i cili u ngjit lartësive të pushtetit duke tradhtuar miqtë e tij, në fund u dënua si mashtrues dhe vdiq nga infeksionet gjatë një eksperimentimi me pula të cofëta, të cilat i mbushte me borë për të zbuluar afat-gjatësinë e mishit para kalbjes. Ai kishte një ide brilante por nuk njihte infektologjinë.

Pse mu kujtua eseu i Russell-it mbrëmë gjersa dëgjoja Bilall Kasamin e grupit \"Besa\", alias \"Lëvizja IK\" gjersa fliste për specialen dhe se nuk merr pjesë në një qeveri me të inkriminuar?

Është vërtet interesante dukuria. Rëndom të inkriminuarit më së zëshmi ulurin për gjykata para se të gjenden në bankën e të akuzuarit. Apo Kasami dhe miqtë e tij, nga padija, vërtet besojnë se Zaevi mund t\'iu garantojë imunitet edhe kundër aksionit të BE-së dhe shteteve kryesore të perëndimit kundër krimit të organizuar ndërkombëtar?

Jo ai nuk iu garanton dot. Ai vetëm është më i mençur se koalicionarët e tij. Një destruktor permanent që provokon, ik, kundërshton vazhdimisht të vetët, brenda faktorit shqiptar i kursen atij shumë kohë dhe nerva ngase heq presionin e elektoratit joshqiptar prej vetes: nuk përmbush kërkesat e tyre se këta sabotojnë njëri tjetrin. Prandaj edhe këmbëngulja e tij që t\'i ketë në qeveri. Përndryshe edhe pa ta numrat i ka.

T\'i kthehemi dijes së padobishme russelliane të Kasamit, të formuar me librat e prodhuara nga \"Logos-A\" neoosmane tash e mbi njëzet vjet me synimin për të tjetërsuar kujtesën shqiptare në favor të Turqisë erdoganeske.

II.

Deputetja ekstramarksiste gjermane me origjinë turke Sevim Dagdelen (Informatë dje edhe në gazetën \"Die Welt\"), e cila bën çmos që ta paraqes Kosovën si shtet të dështuar dhe vatër të terrorizmit islamik me bazë në wahabizmin saudit kërkoi një raport të përdetajuar nga shërbimi sekret gjerman mbi ndikimet e organizatave të këtilla turke e saudite në Kosovë. Raporti u dorëzua. Jo vetëm për Kosovën – i cili është katastrofal dhe imezhvrasës - por edhe për Maqedoninë, ngase këtu eksplicit dëshmohet subversioni i AKP-së, Gülenit, bankave dhe personave që kanë operuar në Ballkan, që nga 1989 e këndej. De facto që moti në BE dhe në shtetet udhëheqëse të organizatës supranacionale punohet në grumbullimin e të dhënave dhe fakteve për formën e depërtimit, paralarjes, ndikimit dhe korruptimit të kategorive të ndryshme në Maqedoni, Bosnjë, Kosovë dhe Sanxhak.

Ndër organizatat më të financuara, me kapital jo vetëm turk, por të bartura kryesisht nga bankat e tyre, përfaqësitë diplomatike dhe organizatat e ndryshme si gyleniste ashtu edhe erdoganeske, janë këto nga doli grupi që udhëheq me organizatën \"Besa\". Dhe atë me ndihmën e të inkriminuarve, pra direkt Mijallkovit dhe kastës së afër të Gruevskit \"Logos A\" ka marrë të hollat edhe nga Ministria e Kulturës për botimin e literaturës së organizuar për implementimin e versionit \"të mbetjeve turke\" dhe vijës neoosmane. Shitja e selisë së \"Vilajetit të Kosovës\" në Shkup Katarit është bërë me ndërmjetësimin e Mijallkovit (provizione) dhe është organizuar nga po të njëjtët që inauguruan, formuan institutin panislamik \"FOCIC\", ku poashtu janë tretur ca miliona për të cilat kërkon sot llogari Katari dhe procesin e ka raportuar në organizatat relevante ndërkombëtare. Katarezët kanë ofruar bashkëpunim të hapur me evropianët sa i përket \"involvimit të tyre të padëshirueshëm\" nga turqit dhe satelitët e tyre në Ballkan. Këto vetëm disa nga pistat që hetohen. Konglomerati i korrupsionit është më i madh dhe kap edhe njerëz të partive tjera.

III.

Me një fjalë: Gjykata Speciale, cilado të jetë ajo do të jetë e detyruar që të hetojë kanalet dhe linjat e korruptimit material dhe politik me mantelin e doktrinave radikaloreligjioze në Maqedoni, Kosovë, Bosnjë. Si të inkriminuar direkt (sidomos gjatë fazës elektorale dhe blerjes së mediave, \"analistëve\", portaleve, infiltrimit edhe të mediave në Kosovë nga Besa janë një arsenal në vete faktesh) janë njerëzit e besës dhe stafi i tyre juridik, ai financiar partiak. Këta pra që kërkojnë gjykatat. Është padije e thellë të besosh se Gjykatat gjatë hetimit të klikave të Gruevskit dhe Mijallkovit do të munden që faktet që inkriminojnë bashkëpunëtorët e tyre në procese kriminele do t\'i lënë anash ngase qenkan garantues të qeverisë. Ato Zaevi mund t\'i shtyjë për një kohë për t\'i mbajtur shqiptarët t\'i përçarë, por jo edhe për t\'i shpëtuar pa gjyqe pjesëtarët e zhvillimeve kriminale rajonale.

 IV.

Ose këta të \"Besës\", nuk janë siç thotë Russell, por e kundërta, janë profetë si ai shkrimtari i panjohur Morgan Robertson që shkroi romanin \"Futility\", ku me një përpikëri të hatashme me shifra dhe konstruksion, 14 vjet më herët (1898) përshkroi përmbysjen e titanikut (1912), vaporit të cilin ai ne roman e quante vetëm \"Titan\". Gjykatat Speciale patjetër se do të bëhen se ndryshe nuk përmbyset krimi i organizuar në Maqedoni, por ai do t\'i fshijë të gjithë e sidomos ata që janë ne gjendje të shkatërrojnë kultura e besime për interesa personale.

AUTORI:XHEMAL AHMETI