PORTAL INFORMATIV CONTACT MARKETING
Turi për vota - flet edhe Rugova nga varri!
Posted date: 27.03.2017
Nga Arbana Xharra

Konventa e PDK-së u hap me një video, me anë të së cilës kryetari i saj Kadri Veseli u drejtohet qytetarëve duke u ankuar se politikanët po merren me njëri-tjetrin dhe jo me hallet e tyre. 

Një klip ky nga turi që ai ka nisur gjatë të cilit i “dëgjon” hallet e qytetarëve dhe i regjistron në fletoren e tij, të ngjallë dilemë nëse PDK-ja sapo ka filluar të funksionojë si parti dhe të mos i ketë dëgjuar deri më sot qytetarët, edhe pas kaq shumë viteve në pushtet. Më pas, nuk nevojitet asnjë tur për arsye se hallet dhe preokupimet e qytetarëve dihen, s’ke nevojë të “zbresësh nga planeti Mars” për të marrë vesh se çka kërkojnë banorët e Kosovës. 

Por, kjo fushatë ka të bëjë edhe me faktorizimin e Kadri Veselit në krye të PDK-së, proces që gradualisht vë në pah edhe një shkëputje nga PDK-ja e Hashim Thaçit, ndonëse me stil të imituar nga paraardhësi i tij, ku rreth vetes mbledh djem e vajza të reja, derisa ish-bashkëpunëtorët më të afërt të Thaçit bëjnë tërheqje taktike. Kjo është legjitime sepse çdo lider sjell ekipin e vet, por cila do të jetë kostoja, mbetet të shihet. Nëse kujtojmë periudhën kur u zyrtarizua Veseli si pjesë e PDK-së dhe po të njëjtin vit kjo parti humbi zgjedhjet nga hajgarexhiu Agim Bahtiri, të cilin dukej se askush nuk e merrte seriozisht, pritet të shihet në zgjedhjet e ardhshme se sa do të kenë sukses përpjekjet e kreut të ri të PDK-së për ta siguruar faktorizimin dhe numrat e Thaçit.   

***

LDK-ja ka nisur takimet në degë dhe paradat arkaike me rritjen e anëtarësisë dhe me ndarjen e kartelave në një periudhë kur kreu i saj ndonëse në pozitë të rëndësishme ekzekutive shpërfaqet si një kryeministër komplet i defaktorizuar nga partneri i vet i koalicionit. Derisa nëpër tubime të partisë kanë nisur t’i dalin edhe zyrtarë që “flasin me të vdekurit”. Kjo parti dështoi të reformohet në momentin kur mund t’i hapte dyert për ata që ishin lodhur nga krahu i luftës që në emër të saj u bënë milionerë. Kjo parti gjithashtu nuk arriti të evoluojë bashkë me Kosovën e aq më pak me kosovarin.

Mosdhënia e mundësisë as për të kandiduar Vjosa Osmanit i dha mesazh kujtdo nga jashtë që mund ta synonte LDK-në. Qasja paternaliste e një grupi që ka kapur partinë gradualisht po shndërrohet në strofull të sojit të kryetarit të Degës së Tretë të LDK-së në Prishtinë, Haki Borovci, i cili para pak ditësh u  prezantua si  “vizionar” në tubimin e LDK-së derisa përcolli mesazhin që ia kishte thënë “Ibrahim Rugova nga varri”. Ndërkohë Isa Mustafa e pranoi pataten e nxehtë nga Hashim Thaçi kur doli i vetmi kundër iniciativës për shndërrimin e FSK-së në ushtri. Sikur deshi t’i dërgojë sinjal bashkësisë ndërkombëtare se “unë jam në një linjë me juve”. Por ky reagim i tij do t’i kushtojë me vota nëse Thaçi arrin që ta kalojë punën e ushtrisë.

***
 “Vetëvendosja” gjithashtu vijon me organizime brendapartiake si dhe me strategjinë e linçimit të gjithë atyre që sfidojnë tezat dhe politikat e këtij subjekti në mënyrë që të shmanget vënia në dukje e mangësive dhe e qëndrimeve të tyre. 

Lëvizja “Vetëvendosje” me taktikën e vet bizantine si të Bazilit të Dytë ka krijuar ushtrinë e vet në rrjete sociale që fatkeqësisht i ngjason aradheve të mposhtura të Car Samuilit Bullgar sepse symbylluri vazhdon të bëjë presion ndaj çdokujt që nuk rreshtohet pas saj. Kush nuk i bindet diktatit të saj kryqëzohet dhe etiketohet pamëshirshëm, madje jo vetëm personalisht, por edhe familjarisht. Edhe pse një grup vajzash e djemsh brenda kësaj partie janë potencial i madh për të ardhmen politike të Kosovës, zëri i tyre nuk dëgjohet sepse nuk kanë ndikim në hierarkinë e partisë. LVV-ja sot për sot është reduktuar në një turmë agresive me militantë që brohorasin kur një maoist dhe Kim Jongun-ist i hallakatur nga mendja kryen atentat politik në qendër të Prishtinës. Nëse nuk ndryshojnë qasje duke i dhënë hapësirë grupit të brendshëm që janë më liberalë në pikëpamjet e tyre politike kjo parti do të shndërrohet në sekt.

Ndërsa, nga përgjegjësia për tolerimin e kësaj njëmendësie nuk mund të shmangen edhe ato liberal-demokratë të kooptuar në LVV pasi që heshtja e tyre ndaj politikave linçuese dhe agresive është miratim dhe bashkëpjesëmarrje. 

***

AAK-ja njëkohësisht ka fituar moment me ndaljen e padrejtë të liderit të tyre, si dhe imponimin e tyre të temës së Demarkacionit, por i mungon shtrirja në terren sepse çdo gjë në këtë parti sillet rreth liderit. Në mungesë të Ramush Haradinajt në selinë e partisë kam përshtypjen që pos rojtarit nuk shihet askush. Në aspektin afatgjatë, Haradinaj ka dështuar të ndërtojë mure të qëndrueshme brenda partisë, duke i dhënë prioritet familjarëve dhe jo emrave të rinj e me vizion. Në tërë partinë nuk gjen një zyrtar të saj pos kryetarit që e flet anglishten me një delegacion të huaj. Humbi edhe grupin që dikur i kishte afër: Besnik Tahirin, Avni Arifin, Burim Ramadanin, etj, emra këta që po të kishin hapësirë brenda partisë sot do të ishin në stad tjetër. 

*** 

Partitë e tjera, “Nisma”, AKR-ja dhe partia në zanafillë e Mimoza Kusarit dhe e Iliri Dedës bëjnë mirë të bashkohen nëse duan të paraqesin sado një faktor të vogël në zgjedhjet që do të vijnë. 

Edhe pse s’kemi datë për zgjedhjet e parakohshme, perdet u ngrenë, shfaqja zgjedhore është gati dhe fushata tashmë ka nisur. Gjersa partitë duan zgjedhje, qytetarët duan zgjidhje të shumë problemeve që i kanë stagnuar. Qëndrimet e partive mbi temat si: Demarkacioni, liberalizimi i vizave, Asociacioni, ushtria, por edhe ulja e papunësisë, sundimi i së drejtës, dekriminalizimi, investimet e huaja dhe vendore, dialogu me Serbinë, etj, duhet patjetër të bëhen pjesë e programeve zgjedhore të partive garuese në mënyrë që qytetarët të kenë mundësinë që të përcaktohen për njërën apo për tjetrën.

A do të sjellin zgjedhjet e parakohshme zgjidhje për ngërçet politike, institucionale dhe shtetërore, mbetet në duart e qytetarëve nëse zgjidhjen e shohin tek zgjedhjet!